Është mbajtur punëtoria “Menaxhimi efikas i shkollave” organizuar nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr). Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i të arriturave, problemeve të deri tanishme si dhe kërkesat për një menaxhim më efikas të shkollave të AAP-së. Synim vijues ishte efektet e ndryshimeve dhe agjenda e AAP-së në raport me gjendjen fillestare. Ne këtë punëtori fillimisht u prezantua, para të pranishmëve nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë z. Ragip Gjoshi, Udhëzimi Administratrativ i cili rregullon qëllimet, objektivat, strukturën dhe funksionet e AAAPARr-së. Gjoshi gjithashtu ka folur për synimet e këtij institucioni, duke theksuar se Arsimi Profesional duhet të ketë një adresë, institucion që merret me kurrikula, standarde të profesionit, materialeve shkollore, hulumtime me kërkesat e tregut të punës, të cilat sipas tij deri më tani janë bërë në mënyrë fragmentale. “Për një fazë 5 vjeçare më së shumti Arsimi Profesional është mirë të bëhen përgatitjet për një decentralizim të plotë. Të trajnohen përfaqësuesit e shkollave për financa në Free Balance, kostoja e financimit të ndryshohet në bazë të kostos së qëndrueshmërisë së profesioneve”, ka shtuar mes tjerash Gjoshi. 



Kurse znj. Aferdita Jasha nga MASHT-i ka thënë se Agjencia është përkrahur që nga fillimi dhe do të përkrahet edhe më tutje. Kurse z. Xhelal Susuri drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “11 Marsi”, në Prizren ka bërë prezantimin e të arriturave, sfidave (përparësitë dhe mangësitë) në kuadër të AAAPARr. Ndërsa, rreth procesit të përzgjedhjes së personelit dhe decentralizimi financiar, për një menaxhim më efikas të Qendrave të Kompetencave, ka folur z. Armend Bajraktari, drejtor i QK- Skenderaj. Kurse për partneriteti publiko privat (PPP), të arriturat, problemet dhe pritjet ka fol z. Bashkim  Hyseni, drejtor në QK-Ferizaj. Drejtorët në përgjithësi ishin të kënaqur me të arriturat e deritanishme nën menaxhimin e Agjencionit, duke mos anashkaluar edhe disa probleme sa i përket formulës së financimit. Gjithashtu kanë kërkuar rishikimin e kurrikulave bazë dhe hartimin e kurrikulave shkollore sipas specifikave të profesionit, vështirësitë në shpenzimin e hyra vetanake, të cilat deponohen në llogarinë e thesarit, duke kërkuar që ato mjete të shpenzohen në çdo kohë gjatë vitit financiar pa ndonjë vonesë.
Të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, anëtar të Këshillit Drejtues të Agjencisë, nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, përfaqësues i Lux/Development, përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës, IPK, si dhe përfaqësues të shkollave partnere të AAAPARr-së.