Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARR), mbështetur nga LUX Development, kanë organizuar takimin me drejtorët komunal të arsimit në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj. 



Qëllimi i këtij takimi ishte promovimi i profileve të cilat i ofron Qendra e Kompetencës në Ferizaj, promovimi i profilit të nivelit 5-të të arsimit “Asistent për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore”, i cili do të fillojë në shtator të këtij viti, si dhe sensibilizimi për nxënësit e komunave tjera për mundësitë e shkollimit që ofron kjo qendër.

z.Alush Istogu u.d Sekretar i Përgjithshëm i MAShT-it, theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, me theks të veçantë arsimimin e të rinjve në Qendër të Kompetencës. Ai më tutje theksoi, se qendrat e kompetencës janë të pajisura me laboratorë adekuat dhe ofrojnë mundësi të mira për përgatitje profesionale, ndërsa të rinjtë e diplomuar në këto shkolla kanë mundësi të punësimit brenda dhe jashtë vendit. Në vazhdim, z. Istogu, ju bëri thirrje drejtorëve komunal të arsimit që përmes bursave apo mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të nxënësve, të ushtrojnë ndikimin e tyre për të motivuar nxënësit nga komunat e tyre për shkollim në Qendrat e Kompetencës në Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Malishevë dhe Prizren, të cilat janë të nivelitnacional. 
Nga ana tjetër, z.Ferit Idrizi u.d i Drejtorit të AAAPARr-së, është fokusuar tek rëndësia e arsimit profesional, duke thënë se është një nga fushat e arsimit e cila përgatit kuadro për tregun e punës, si dhe në edukimin cilësor që ofrohet në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, si një qendër nacionale e arsimimit profesional. Po ashtu, ai ftoi për bashkëpunim të gjitha institucionet e arsimit, ndërsa në veçanti kërkoi nga drejtorët e DKA-ve që të ndajnë bursa për nxënësit e komunave tjera me qëllim të shkollimit të tyre në Qendrën e Kompetencës në tri drejtime të cilat i ofron kjo qendër.

Drejtorët komunalë të arsimit, pas përfundimit të takimit kanë vizituar disa laboratorë të kësaj shkolle, njëherësh panë demonstrimin praktik të punës së nxënësve.