Ministrja e Integrimit Evropian, znj.Mimoza Ahmetaj së bashku me shefen e zyrës së Luksemburgut, znj.Anne Doster vizituan Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, ku u vlerësua roli dhe rëndësia e Qendrave të Kompetencës për të rinjtë Kosovar.

Ministrja Ahmetaj, theksoi se këto qendra do të mundësojnë që të rinjtë tanë të aftësohen dhe specializohen në profesione të ndryshme dhe do të kenë mundësinë e punësimit në Kosovë, njëherit të jenë konkurrent të barabartë me qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, ministrja Ahmetaj potencoi që aftësimi dhe arsimi i rinisë tonë përmes qendrave si kjo do t’i mundësojë Kosovës shfrytëzimin e përfitimeve që ofron MSA, duke integruar dhe bërë konkurrues tregun e punës së Republikës së Kosovës, si dhe krijimin e standardeve dhe cilësisë me atë të BE-së.

Ndërsa, drejtori i QK-së z. Bashkim Hyseni i informoi të pranishmit me punën e kësaj qendre. Nga ana tjetër, Mendohije Krelani zyrtare në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr-së) e njoftoi ministren Ahmetaj dhe znj.Doster se janë gjithësej katër Qendra të Kompetencës të cilat janë në menaxhim të këtij Institucioni ku dy Qendrat e Kompetencës, ajo në Ferizaj dhe Prizren janë të ndërtuara nga shteti i Lluksemburgut në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, kurse në Skenderaj dhe Malishevë janë të ndërtuara nga Qeveria Norvegjeze në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Krelani theksoi se investimi në Arsimin Profesional është investim në ekonominë e vendit, por duhet të krijohen kuadro kompetentë konfrom kërkesave të tregut të punës.

Gjatë vizitës, të pranishmit nga afër panë punën dhe aktivitetet e specializuara të nxënësve të profileve të Audiometrisë, Asistentët e Kujdesit Social dhe Shëndetësor, Teknikët Dentar, Asistentët e Fizioterapisë dhe  profile tjera.