Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) që është implementues i nivelit të V të kualifikimit për “Asistentë për nxënës/fëmijë me nevoja të veçanta arsimore”, së bashku me  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, Daniele Passalsqua, udhëheqës i Projektit LuxDev dhe Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, kanë ndarë certifikatat për 75 kandidatët e diplomuar të gjeneratës së dytë për asistentë për nxënës/fëmijë me nevoja të veçanta arsimore.

Fikrije Zymberi, u.d e drejtorit të përgjithshëm të AAAPARr-së, duke ju uruar suksese të mëtutjeshme të diplomuarve, ka thënë se institucioni që ajo drejton, ka bashkëpunuar më MASHT dhe LuxDev që në Kosovë të ofrohet një kualifikim të tillë i cili është mese i nevojshëm për këtë kategori. “Pra, kemi arritur që të realizojmë një kualifikim të njohur ndërkombëtarisht, konform kërkesave të tregut të punës”, ka shtuar Zymberi duke theksuar se punësimi i asistenteve ndikon në rritjen e përfshirjes së nxënësve me nevoja të veçanta dhe lehtësojnë mësimdhënien dhe mësim nxënien.

Nga ana tjetër, ministri Bytyqi, pasi ka uruar asistentët për mbështetjen në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në kuadër të sistemit të rregullt arsimor, tha se zbatimi i politikave arsimore që ofrojnë mbështetjen  e nevojshme për këtë kategori të fëmijëve është i një rëndësie të jashtëzakonshme. “Arsimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë, jo vetëm për Ministrinë e Arsimit, por për gjithë shoqërinë, andaj edhe jemi angazhuar që të përgatisim kuadrot e nevojshme për këtë qëllim”,  ka thënë ministri Bytyqi. Ministri Bytyqi theksoi se, këtë vit MAShT ka krijuar mundësi për punësimin e 100 asistentëve në shkolla dhe kjo do të vazhdojë edhe për tri vitet e ardhshme.
Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar ka thënë se pa një arsimim për fëmijët me nevoja të veçanta, nuk mund të thuhet se në një shoqëri ka progres. “Nuk jam i kënaqur me punësimin e kandidatëve për këtë kategori nëpër komuna”, ka theksuar ai mes tjerash

AAAPARr në bashkëpunim me MASHT-in është duke punuar që të filloj së shpejti edhe me gjeneratën e tretë të këtij kualifikimi.
Gjatë vitit 2016, AAAPARr  në bashkëpunim me MASHT, mori iniciativë që për herë të parë në sistemin formal të arsimit të prezantojë edhe nivelin e V të kualifikimit “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore” që është zhvilluar nga PEARSON – Institucion prestigjioz Britanik, ndërsa është financuar nga projekti Lux-Development.
Pearson është kompani udhëheqëse për mësim-nxënie në botë, me 40.000 të punësuar në më shumëse 70 vende që punojnë për të ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave për të bërë progres të matshëm në jetën e tyre përmes të të mësuarit.