Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), në bashkëpunim me Odën e Zejtare në Dortmund (OZD) dhe Shkollën Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, e cila është në menaxhim të Agjencisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARR), për herë të parë në Kosovë kanë organizuar praktikën profesionale „Bazat e përpunimit të metaleve dhe metodat e saldimit“, në të cilin janë trajnuar 10 nxënës të kësaj shkolle dhe dy pjesëmarrës të FSK-së, sipas arsimit dual i cili parashihet edhe në kurrikulën e arsimit dhe aftësimit profesional të Kosovës.
Kjo praktikë profesionale është mbajtur për pesë muaj me radhë dhe është realizuar në mjediset e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” dhe në ndërmarrjet e ndryshme private, në bashkëpunim me trajnues gjermanë dhe kosovarë, sipas standardeve gjermane. 
Në fund pjesëmarrësit u pajisën me nga një certifikatë të lëshuar nga Oda Zejtare e Dortmundit. 
 


U.d e drejtorit të përgjithshëm të AAAPARr-së, znj. Fikrije Zymberi ka vlerësuar lartë këtë trajnim, duke thënë se rezultatet janë të prekshme. “Uroj që ky projekt të jetë shembull për shkollat e tjera dhe profilet e tjera, sepse kemi potencial, kemi rini të cilët e këto shkathtësi  mund të konkurrojnë në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, ka shtuar znj. Zymberi duke falënderuar të gjithë bartësit relevant që kanë kontribuar ë realizimin e këtij trajnimi.  


  
Kurse znj.Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, tha se prej pas lufte e këndej Qeveria Gjermane ka qenë pjesë e shkollimit profesional në Kosovë, me idenë së përmes arsimit dual, këta të rinj do të gjinden shumë më lehtë në tregun e punës. “Ne e përkrahim sistemin e shkollimit dual, shkollë – ndërmarrje. Me shkollimin e gjeneratave të reja në profesione të ndryshme do të zbutet papunësia në Kosovë. Ne si qeveri i kemi dhënë si detyrë OZD-së, që ta përkrahë zhvillimin e profesioneve te caktuara në Kosovë”.