Për herë të parë Organizata “Germin”, mbështetur nga Youth Employment & Skills (YES), GIZ Kosova, në bashkëpunim me Agjencinë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, kanë hapur Shkollën e Diasporës në Kosovë, i cili është program i ri dhe multidisiplinar, që i bashkoi të rinjtë dhe ekspertët nga diaspora, rajoni dhe Kosova. Kjo shkollë pilot u zhvillua në Qendrën e Kompetencës në Malishevë dhe në Qendrën e Kompetencës në Prizren. 

Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle është që 25 të rinj nga diaspora dhe 25 të rinj nga Kosova, të moshës 18-32 vjeç, përmes kësaj shkolle të ideojnë dhe hartojnë projekte që lidhen me nevojat e komunitetit që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës. Këto projekte do të krijojnë ura lidhëse ndërmjet diasporës dhe profesionistëve të rinj në Kosovë, të cilët si këmbim do të kontribuojnë në komunën e Prizrenit dhe të Malishevës. Formati i cili është zbatuar në kuadër të këtij programi është “Hackathon” apo sfida, një ndër format e para të aplikuara në Kosovë, që nënkupton zgjidhjen e problemeve në mënyrë kreative, për të parë se si ata mund të punojnë së bashku dhe të sjellin ide të reja nga të cilat do të përfitojnë komunitetet në Prizren dhe Malishevë. Në veçanti, kjo shkollë kishte për synim ta lehtësojë shkëmbimin dhe bashkëkrijimin e ideve ndërmjet profesionistëve të diasporës dhe homologëve të tyre kosovarë në sferat me potencialin më të madh në ekonominë lokale, duke ofruar zgjidhje të reja dhe me kosto efektive.

Fikrije Zymberi, u. d. e drejtorit të përgjithshëm të AAAPARr-së, ka vlerësuar lart kontributin e diasporës për Kosovën, kurse ka thënë se kjo shkollë do të shërbejë si shembull për t’i zhvilluar më mirë projektet dhe idetë e ardhshme, duke shfrytëzuar potencialin e diasporës, investimet dhe nismat e mundshme që do të mund të zhvillohen në bashkëpunim me partnerët vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.



Për pasionin e tyre për ndryshime në komunitet, Liza Gashi, drejtoreshë e programeve në Ermin, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Dua t’ju falënderoj për çdo sekondë që kaluat me ne, me gjithë pasionin, energjinë dhe vendosmërinë për të ardhur këtu dhe për të gjetur zgjidhje për problemet lokale. Unë kërkoj nga ju që, kur të ktheheni, t’i bëni këto dy gjëra: “Të reflektoni dhe ta kuptoni se ku qëndroni. Ju kërkoj të reflektoni sepse shumë herë ne përpiqemi t’i impresionojmë të tjerët dhe për një moment e harrojmë veten. Më besoni, secili prej nesh bart një potencial të madh brenda dhe këtë duhet ta eksplorojmë”, u shpreh Gashi. 
Pas fjalës përshëndetëse, tetë grupet punuese të shkollës prezantuan projektet konkrete para komisionit vlerësues. Projektet e prezantuara ishin katër për Komunën e Prizrenit dhe katër për Komunën e Malishevës.

  



Idetë fituese të kësaj shkolle për Komunën e Prizrenit janë:

1. Multifunctional Work Space: Krijimi i një hapësire punuese dhe kulturore për të rinjtë e Prizrenit në bashkëpunim me Fondacionin “Lumëbardhi”;

2. No name: Realizimi i një platforme interaktive mbi turizmin për t’i promovuar vendet historike e kulturore të Prizrenit. Po ashtu, ky projekt synon t’i aftësojë edhe të rinjtë e asaj komune për cicëron;

3. See you in Prizren: Krijimi i një platforme për t’i publikuar storiet (historitë gojore) lidhur me Prizrenin, objektet kulturore, storiet e suksesit të padëgjuara e dokumentuara më parë.

Idetë fituese që do të realizohen në Komunën e Malishevës:

1. Bus Team: Ngritja e vetëdijes për pasojat e martesave të vajzave në moshë të re;

2. The future: Krijimi i një hapësire “Boys and Girls Club” e cila do të shfrytëzohet nga të rinjtë e Malishevës për aktivitete të ndryshme. Ky klub synon ta eksplorojë potencialin e rinisë, duke i përgatitur ata si liderë të së ardhmes përmes ligjëratave dhe punëtorive nga ekspertë të ndryshëm.

3. Investing in Malisheva: Krijimin e kushteve për ta fuqizuar sektorin e Agrikulturës në Malishevë, duke i ndihmuar kështu fermerët nga kjo komunë se si mund ta shfrytëzojnë tokën pjellore. Ky projekt synon t’i lidhë ekspertët vendorë dhe nga diaspora, Komunën e Malishevës dhe Qendrën për Zhvillimin e Biznesit.
Ekipet fituese do të mbështeten me grante për implementimin e ideve të tyre: Vendet e para me 6 000 euro, të dytat në vlerë prej 5 000 eurosh, vendet e treta 4 000 euro.