Anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, pjesë e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, në përbërje: Ardian Gola-kryesues, Arijeta Rexhepi dhe Arjeta Fejza, anëtarë, kanë vizituar Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve si dhe Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” që është në menagjim të AAAPARr-së.
Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me nivelin e zbatimit të Ligjit nr.04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe sfidat me të cilat institucionet ligjzbatuese ballafaqohen gjatë punës së tyre.
Përfaqësuesit e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve si dhe Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, ofruan informacione në interesimin e deputetëve lidhur me nivelin e zbatimit të ligjit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.
Anëtarët e Komisionit, pas mbledhjes së informatave lidhur me nivelin e zbatimit të ligjit, do të hartojnë një raport, në të cilin, nëpërmjet rekomandimeve do të adresohen sfidat e evidentuara në zbatimin e ligjit.