Në ditën e parë të vitit shkollor 2025/2026, drejtoresha ekzekutive e AAAPARR-së Fikrije Zymberi, realizoi një vizitë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë. Kjo vizitë ishte një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar atmosferën e fillimit të vitit të ri shkollor dhe për t’u takuar me stafin, mësimdhënësit dhe nxënësit që janë gati për një sezon të ri plot sfida dhe arritje.
Gjatë vizitës, drejtoresha pati mundësinë të bisedojë nga afër me mësimdhënësit, të dëgjojë planet dhe pritshmëritë e tyre për vitin që po fillon, si dhe të njihet me mënyrat inovative të mësimdhënies që po përdoren për të rritur cilësinë e arsimit në këtë qendër. Nxënësit, me entuziazmin dhe energjinë e tyre të zakonshme, treguan gatishmërinë për të përballuar sfidat e reja dhe për të dhënë më të mirën në rrugën e tyre drejt suksesit. “Mësimdhënës të nderuar, uroj që me përkushtimin dhe rolin tuaj të vazhdueshëm të kontribuoni në formimin e profesionistëve të ardhshëm, të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë.Nxënës të dashur, shfrytëzoni çdo mundësi për të mësuar, për të praktikuar dhe për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme. Aftësitë që zhvilloni sot janë çelësi i suksesit tuaj nesër, por edhe një vlerë e shtuar për të gjithë shoqërinë. Le të fillojmë këtë vit të ri shkollor me energji, entuziazëm dhe angazhim të përbashkët për një të ardhme të ndritur”, ka theskuar drejtoresha.

Vizita e drejtoreshës Zymberi është një konfirmim i mbështetjes së vazhdueshme të AAAPARR-së ndaj institucioneve arsimore dhe përpjekjeve për të ngritur standardet e arsimit profesional në Kosovë.
Në përfundim, Zymberi uroj që ky vit shkollor të jetë i mbushur me suksese, përparim dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit dhe stafin e Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”. “Me përkushtim dhe punë të palodhur, së bashku mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme”, ka theksuar drejtoresha Zymberi.
Kjo qendër është një shembull i rëndësishëm i angazhimit për zhvillimin e kompetencave të nxënësve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe jetën e përditshme.