Drejtoresha ekzekutive e AAAPARR-së, Fikrije Zymberi, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan Qendrën e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren. Gjatë vizitës, u njohën me ofertën e gjerë të programeve mësimore që qendra ofron, duke përfshirë 16 profile të ndryshme, si Arkitekturë, Arte të Aplikuara, Elektroteknikë, Makineri, si dhe profile në gjuhën boshnjake dhe turke.

Ky vit shkollor shënon një numër të lartë të përfshirjes në qendër, me mbi 1,400 nxënës të regjistruar në programet e rregullta dhe 175 nxënës në mësimin për të rritur. Në programin e mësimit dual, i cili lidh teorinë me praktikën nëpërmjet bashkëpunimit me bizneset, marrin pjesë 130 nxënës me mbështetjen aktive të 44 bizneseve partnere.

Gjatë vizitës, u vërejt puna e palodhshme dhe përkushtimi i stafit arsimor, i cili punon çdo ditë për të përgatitur të rinjtë me shkathtësitë e nevojshme që kërkon tregu i punës. Ky angazhim është një shembull i qartë i lidhjes së ngushtë midis arsimit dhe praktikës profesionale, që ofron mundësi reale për zhvillim dhe punësim të suksesshëm për nxënësit.
Qendra e Kompetencës “11 Marsi” vazhdon të jetë një model i rëndësishëm në fushën e arsimit profesional, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e profesionistëve të aftë për sfidat e tregut të punës.