Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Pearson dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe për Arsim të të Rriturve (AAAPARr), më 23 dhe 24 tetor 2025, u zhvillua procesi i verifikimit të vlerësimit dhe sigurimit të standardeve të cilësisë për nivelin e V-të “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”.
Procesi u udhëhoq nga znj. Penelope Wigmore, eksperte e kontraktuar nga Pearson, dhe u zhvillua përmes takimeve virtuale, me pjesëmarrjen e:
- Fikrije Zymberi, drejtoreshë e AAAPARr-së;
- Anëtarët e grupit monitorues të këtij niveli;
- mësimdhënëse dhe kandidate që janë duke ndjekur nivelin V të programit.
Gjatë vlerësimit, u prezantua i gjithë procesi i organizimit dhe zbatimit të kualifikimit, duke përfshirë planifikimin, ofrimin e mësimit dhe procedurat e vlerësimit përfundimtar të kandidatëve. Po ashtu, u paraqitën dosjet e kandidateve për modulet përkatëse, me të gjitha aktivitetet e realizuara deri më tani.
Ky kualifikim, i cili kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e përfshirjes dhe mbështetjes arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta,ka diplomuar deri më tani gjashtë gjenerata me gjithsej 480 kandidatë. Aktualisht, gjenerata e shtatë, me 270 kandidatë, është në fazën përfundimtare të kualifikimit, duke e çuar numrin total të të diplomuarve në 750.
Kandidatët që ndjekin këtë program vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës, duke garantuar që shërbimet për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të ofrohen në mënyrë të barabartë dhe të qëndrueshme në të gjithë vendin