Drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), Fikrtije Zymberi, është vlerësuar nga Shërbimi Kombëtar Mbështetës për EPALE në Kosovë si një ndër përdorueset më aktive të platformës EPALE nga Kosova.
Ky vlerësim përforcon rolin e AAAPARr-së në promovimin e arsimit dhe mësimit të të rriturve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional në nivel kombëtar dhe evropian.
Ky vlerësim vjen si rezultat i angazhimit të saj të vazhdueshëm në platformë, veçanërisht përmes ndarjes së materialeve me relevancë të lartë për sektorin e arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe arsimit të të rriturve. Kontributi i znj. Zymberi përfshin përditësime të rregullta mbi aktivitetet e AAAPARr-së dhe projektet e implementuara nga agjencia, duke ndihmuar në rritjen e qasjes në informacion të besueshëm dhe në forcimin e kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Si shenjë mirënjohjeje për këtë kontribut të vlefshëm, Shërbimi Kombëtar Mbështetës për EPALE i ka ndarë znj. Zymberi Certifikatën Digjitale të Vlerësimit.