Sot, me rastin e shënimit të 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, u zhvillua Tryeza e Diskutimit me temë: “Rëndësia dhe përgatitja profesionale e asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore – Programi Pearson”.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drejtoresha e AAAPARr-së, Fikrije Zymberi, e cila theksoi rëndësinë e përgatitjes profesionale të asistentëve si një element kyç për ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Falënderim i përzemërt u shkon të gjithë panelistëve dhe profesionistëve të fushave të arsimit, logopedisë, psikologjisë, terapive zhvillimore, organizatave joqeveritare, si dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët ndanë përvojën, dijen dhe përkushtimin e tyre me studentët e Nivelit të V-të. Pjesëmarrja e tyre përbën një vlerë të jashtëzakonshme dhe një mbështetje të çmuar në përgatitjen e asistentëve të ardhshëm.
Po ashtu, falënderojmë institucionet arsimore, qendrat burimore, shkollat, kopshtet dhe organizatat partnere, të cilat çdo vit hapin dyert për studentët tanë dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e tyre profesional, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e ofruar studentëve gjatë pjesës praktike të programit.
Dhe mbi të gjitha, një bravo e madhe për studentët e Nivelit të V-të, për angazhimin, etikën profesionale dhe vullnetin e tyre për të ndjekur një profesion kaq të rëndësishëm dhe human.
Së bashku mund të ndërtojmë një arsim më gjithëpërfshirës, më të drejtë dhe më të ndjeshëm për çdo fëmijë.