Certifikohen 15 këshilltarët e parë të karrierës të nivelit të 5-të

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 15 këshilltarëve të parë të karrierës përmes programit kualifikues të akredituar të nivelit të 5-të, organizuar nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, roli dhe funksioni i të cilëve është esencial për të ofruar shërbime cilësore në ngritjen e vetëdijes së nxënësve për përzgjedhjen e profesionit dhe për orientimin e tyre në karrierë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, më shumë se kurrë për të rinjtë tanë, informimi për mundësitë e arsimit është shumë i nevojshëm, gjithashtu është e rëndësishme që të rinjtë të kenë informacione për nevojat e tregut. Prandaj sipas saj, për t’i përmbushur këto kërkesa qendrat nëpër shkolla po luajnë një rol të rëndësishme në këtë aspekt, duke sqaruar se janë themeluar 16 qendra të karrierës.

Nagavci tha se, politikat e Ministrisë janë të fokusuara në reformimin e stafit të shkollave profesionale dhe të gjitha veprimet të cilat janë ndërmarrë vërtetojnë përkushtimin tonë për t’ju ofruar nxënësve tanë informata dhe instrumente për ti zbuluar afinitetet e tyre, në mënyrë që atyre të ju sigurojmë një të ardhme më premtuese.
“Të rinjtë tanë është e nevojshme të kenë informacione për shkolla profesionale dhe nevojat e tregut të punës, çfarë lloje profilesh ofrojnë ato, për kohëzgjatjen e shkollimit, për realizimin e mësimit praktik në ndërmarrje, mundësinë e punësimit, që ata të orientohen drejt tregut dhe pas shkollimit ta kenë më të lehtë punësimin”, ka thënë ajo.
Ministrja Nagavci tha se, qendrat e karrierës me bazë në shkolla profesionale, së bashku me këshilltarët e karrierës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në orientimin e nxënësve për përzgjedhjen e profesionit, andaj Ministria e Arsimit mbështet fuqizimin e komponentës së orientimit dhe këshillimit në karrierë, përmes ndërmarrjes së një sërë masash gjatë dy viteve të fundit.
Nagavci falënderoi Qeverinë zvicrane, e cila përmes projektit “Rritja e punësimit për të rinj-EYE” po mundëson jetësimin e themelimit të qendrave të karrierës, zhvillimin dhe akreditimin e programit kualifikues dhe kualifikimin e këshilltarëve të karrierës, ndërsa këshilltarëve të karrierës, ju uroi suksese në rolin e tyre të ri, derisa ftoj komunat që të identifikojnë nevojat në nivel komune për këshilltarë të karrierës.

Fikrije Zymberi, u.d. i drejtorit në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, tha se programi politik është duke i’u mundësuar që të ketë shërbime të karrierës. “Kemi ardhur në një ceremoni mjaftë të rëndësishme. Kjo tregon që vullneti, programi politik është ai që po na mundëson që shërbimet e karrierës të funksionalizime dhe të futen në sistem si aktivitet të qëndrueshëm. Ju uroj shumë suksese ne realizimi e aktiviteteve këshilltarëve dhe gjenerata e të reja që do të pasojnë”, tha ajo.

Për rëndësinë e standardizimit dhe institucionalizimit të shërbimeve të orientimit në karrierë dhe certifikimin e këshilltarëve të parë në karrierë folën edhe Jean Christophe Favre, udhëheqës për Ekonomi dhe Punësim dhe Këshilltar Rajonal nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, i cili ka theksuar se Këshilltarët e karrierës kanë një rol të rëndësishëm që t’i udhëzojnë të rinjtë që ta vazhdojnë karrierën e tyre. ”Tregu i punës është një hapësirë shumë e rëndësishme ku takohen punëtoret dhe kompanitë. Në të kaluarën shumë të largët shqetësimi ishte për mundësi të punës, tani shqetësimi është mungesa e fuqisë punëtore. Kjo do të thotë së është shumë e mirë për të rinjtë dhe të tjerët sepse nëse ata trajnohen do të kenë mundësi më të mëdha për punësim. Për të rinjtë nuk është e lehtë të vendosin për karrierën e tyre”.

Edona Turtulla Rada, e cila është drejtoreshë nga Qendra e Kompetencës Prizren, tha se si institucion i parë i akredituar e falënderojnë MAShTI-në, AAAPARr-në dhe donatorët për përkrahjen. Ajo shtoi se deri të ky sukses ka pasur shumë sfida dhe ka qenë një punë dy vjeçare. Në fund ministrja Nagavci, Fikrije Zymberi, Jean Christophe Favre e Edona Turtulla Rada kanë ndarë certifikata për 14 këshilltarët e karrierës që kanë diplomuar.

Ndryshe, programi për këshilltarë të karrierës është kualifikuar dhe validuar nga Autoriteti Kombëtare e Kualifikimeve, ndërsa Qendra e Kompetencës në Prizren e cila është në menaxhim të AAAPARR-së është institucioni i parë publik i akredituar për ofrimin e programit të trajnimit të nivelit të 5-të.

Të dhënat për kontakt

© Copyright AAAPARr. Të gjitha të drejtat e rezervuara